FSHU Sh.a, pjesë e OSHEE Group dhe Fondacioni “Qatar Charity” në kuadër të projektit social “Dritë në Shtëpi” finalizuan marrëveshjen e bashkëpunimit për mbështetjen financiare të 1,600 fëmijëve dhe familjeve në nevojë, përmes mbulimit të pagesave të faturave të energjisë elektrike.
Ky bashkëpunim synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve më në nevojë në të gjithë vendin.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë z. Enea Karakaçi, Administratori i OSHEE Group, z. Jabor Bin Ali Al Dosari, Ambasadori i Shtetit të Katarit në Shqipëri, si edhe z. Ahmad Yousef Fakhroo, përfaqësues i lartë i “Qatar Charity”, të cilët vlerësuan vizionin social të OSHEE Group dhe partneritetin e frytshëm me Shtetin e Katarit, që pritet të zgjerohet edhe në nisma të tjera solidariteti në të ardhmen.
Marrëveshja u firmos nga Administratori i FSHU Sh.a, z. Algert Luzi dhe Drejtori Ekzekutiv i Zyrës së “Qatar Charity” në Shqipëri, z. Mahmoud Abbas Shaker duke zyrtarizuar angazhimin e përbashkët për të qenë më pranë komuniteteve në nevojë dhe për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
