Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE Group, ka nisur investimet për ndërtimin e rrjetit të ri të shpërndarjes dhe nënstacione të reja kryesisht në zonat turistike, të cilat do të garantojnë përballimin e fluksit të turistëve që pritet të jetë i lartë këtë vit.
Gjatë inspektimit në Velipojë ku OSSH po ndërton një nënstacion të ri, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku e shoqëruar nga administratori i OSSH Blendian Dalipi dhe drejtuesi i OSSH rajoni Shkodër, vuri theksin tek rritja e standardit të cilësisë së shërbimit të furnizimit me energji elektrike jo vetëm në zonat turistike por dhe rrethinat e saj, sic është Velipoja dhe fshatrat përreth.
Ministrja Belinda Balluku tha se po investohet për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në disa zona të vendit, ku fokusi më i madh është në zonat turistike. Balluku theksoi se parashikimet flasin për një fluks të lartë turistësh që pritet të vizitojnë Shqipërinë gjatë këtij viti, prandaj janë marrë të gjitha masat për të përballuar situatën e furnizimit me energji elektrike.
“Duke qenë se ky do të jetë një sezon shumë i rëndësishëm, priten mbi 14 milionë vizitorë në Republikën e Shqipërisë, sigurisht ne na duhet që disa nga këto kantiere të hapura, t’i çojmë dhe më shpejt përpara.
Madje edhe ato që kanë nisur para pak kohësh duhet të përfundojnë për sezonin 2025.
I gjithë fokusi në këto momente ndodhet në zonat turistike, por pa përjashtuar edhe Tiranën që ka të gjithë vëmendjen tonë. Jemi të përgatitur për ta përballuar me sukses këtë sezon”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se investimet e reja që po realizohen në të gjithë vendin do të ndikojnë edhe në uljen e humbjeve të energjisë në rrjet.
“Kanteret e reja duhet të ecin dhe duhet të dorëzohen para afatit. Nga ana tjetër është përballimi i një sezoni turistik sfidues i cili nga çfarë duket po nis shumë përpara se ne ishim mësuar.
Dikur niste sezoni në korrik, tani ka nisur që në prill. Unë kudo që shkoj për të inspektuar edhe njësitë e hotelerisë të cilat kanë procese përmirësuese në këto momente i gjej pothuajse plot një pjesë të tyre.
Ndërkohë detyra e tretë dhe më e rëndësishmja është ulja e humbjeve. Objektivi është që 1 janar 2025 të na gjejë, pikërisht për shkak të këtyre investimeve të mira që ne po bëjmë sot, me 17.93% humbje teknike, krahasuar me 45% të vitit 2013. Një ndryshim i jashtëzakonshëm në këtë dekadë”, nënvizoi Balluku.
Lidhur me investimin e ri për ndërtimin e NST të Velipojës, administratori i OSSH Blendian Dalipi nënvizoi se projekti përfshin ndërtimin nga e para të nënstacionit ekzistues, ndërtimin e paneleve të komandimit, sallat e mbrojtjes, nivelet e shërbimit, serviset për punonjësit, që sipas tij do jenë të gjitha të një standardi ashtu siç koha i kërkon.
“Ky nënstacion është i nivelit 110 kilovolt, 35 dhe 20 kilovolt dhe do të ngrihet edhe 60 centimetra nga niveli zero, për të shmangur ndonjë problematikë që mund të shfaqet me ujërat apo përmbytjet”, tha Dalipi.
Projekti është në fazën e implementimit të kolektorit dalës të fiderave si dhe dy fiderat e parë kabllorë 20kV (F1 dhe F2) me kabinat e reja si dhe linjën kabllore TU të ri me gjatësi 8.5 km,10 kabina te reja si dhe ndërtimin e 7.3 km linjë TU ABC.
Në planin e investimit për vitin 2024, është parashikuar implementimi i dy fiderave të tjere kabllorë 20 kV (F3 dhe F4) me kabinat e reja si dhe ndërtimi i linjës kabllore TU me gjatësi 10 km, 20 kabina të reja si dhe ndërtimi i linjës TU ABC me gjatësi 10.5 km.
Gjithashtu po planifikohet ndërtimi i fiderit të ri 20 kV (F5) në drejtim të Rjollit, me gjatësi 14.2 km, 14 kabina të reja si dhe linja e re 11 km e tensionit të ulët me kabull ABC.
Aktualisht, ka përfunduar ndërtimi i karabinasë së godinës së shërbimit dhe muratura perimetrale e godinës së shërbimit.
Është punuar dhe vijon puna me bazamentet e sheshit të nënstacionit dhe traktit të linjës.