Balluku dhe Dalipi inspektojnë punimet: do të përfundojë brenda marsit 2025

Administratori i OSSH-së, Blendian Dalipi, theksoi se NST. i Lezhës do të përfundojë brenda marsit të vitit 2025.
“Ky është nënstacioni kryesor për të gjithë qarkun e Lezhës, jo vetëm për zonën e Shëngjinit dhe nga ky nënstacion furnizohen aktualisht deri në 40 mijë abonentë. Sot jemi në 99 % të realizimit të punimeve për 3 fiderat që duhet të përfundonin në fillim të vitit 2025, dhe brenda muajit nëntor mbyllim 3 fiderat e Shëngjinit.
Herë pas here në NST. e Lezhës janë bërë disa ndërhyrje të pjesshme, duke ndërruar transformatorët, por asnjëherë nuk është ndërmarrë një nismë e tillë për të pasur një rikonstruksion total.
Deri më sot janë rikonstruktuar 23 kabina, kemi ndërtuar edhe 23 kabina të reja. Janë shtruar 20 km linjë e re TM kabllore (nëntokësore), si dhe kemi ndërtuar 20 km të tjera afërsisht linjë të tensionit të ulët ABC, që janë linja nëntokësore. Ky investim do të shmangë problemet në NST., si pasojë e motit të keq, si dhe do të garantojë parametra të lartë teknik.”, u shpreh Dalipi.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, ka nisur punimet për fuqizimin e kapaciteteve të NST. të Lezhës, i cili po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë.
Punimet do të përqendrohen në ngritjen e kuotave të nënstacionit, për shmangur përmbytjen e tij si pasojë e reshjeve intensive të shiut.
Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i OSSH-së, Blendian Dalipi dhe kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, inspektoi nga afër punimet në këtë nënstacion të ndërtuar që në vitin 1960.
Ministrja Balluku nënvizoi në fjalën e saj se punimet për rikonstruksionin e NST. të Lezhës nuk do të krijojnë pengesa në furnizimin normal me energji elektrike të qytetarëve.
Sipas saj, këto investime jo vetëm i përgjigjen fluksit aktual të zonës, por edhe zhvillimit të mëtejshëm të saj.
“Do të ketë dyfishim të kapaciteteve të nënstacionit, jo vetëm për të plotësuar të gjitha nevojat e qytetit edhe ato të zonës së Shëngjinit, duke pasur parasysh që ka një kërkesë të shtuar, por edhe planet e tjera që keni për ndërtim në zonën e bregdetit”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u ndal dhe te plani i investimeve për vitin 2024, ku theksoi se, sikurse NST i Lezhës, të gjitha objektet e tjera ku po ndërhyn OSSH-ja, do të përfundojnë para afateve.
“Kemi bërë edhe një planifikim të investimeve, ashtu siç duhet për vitin 2024; dhe çfarë është më e rëndësishme, kjo duhet thënë: OSSH-ja tashmë po punon në të gjitha kantieret; për më tepër ne jemi në presionin e kohës dhe detyrimisht kërkojmë dhe mirëkuptimin e kompanive bashkëpunuese, pasi është shumë e nevojshme të përfundojnë të gjitha këto vepra edhe para afateve, siç është rasti i këtij nënstacioni”, tha Balluku.
Investimi në NST. e Lezhës do të eleminojë ndërprerjen e energjisë elektrike si pasojë e defekteve nga mbingarkesa dhe amortizimi i rrjetit të vjetër.
OSSH, përmes rikonstruksionit total të nënstacionit, synon të ulë nivelin e humbjeve në të gjithë zonën e Lezhës dhe Shëngjinit, si dhe të përmirësojë sigurinë teknike të rrjetit në parametra teknikë bashkëkohorë.