Nënstacioni i ri në Xarrë investim strategjik për furnizimin me energji të jugut, OSHEE shton kapacitetet 8-fish më shumë për zonat turistike

Nënstacioni i ri në Xarrë investim strategjik për furnizimin me energji të jugut, OSHEE shton kapacitetet 8-fish më shumë për zonat turistike

Në një nga zonat më të zhvilluara turistike në jug të vendit, OSHEE Group ka nisur një investim energjetik të rëndësishëm, ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik në Xarrë, që pritet të jetë funksional brenda tremujorit të parë të vitit 2026, përpara afatit zyrtar të përfundimit.

Punimet për ndërtimin e këtij objekti strategjik nisën në janar 2024 dhe janë pjesë e një programi më të gjerë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në jug të Shqipërisë.

Gjatë inspektimit të punimeve, zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga administratori i OSSH-së, Blendian Dalipi, theksoi rëndësinë e këtij investimi jo vetëm për njësitë e shërbimit dhe bizneset gjatë sezonit turistik, por dhe për zhvillimin e bujqësisë në këtë zonë.

“Ne duhet të kuptojmë që e gjithë zona e jugut tashmë është një zonë e cila e shumëfishon numrin e banorëve nga maji deri në tetor. Nga ana tjetër, është një zonë e rëndësishme edhe përsa i përket bujqësisë këtu dhe ne e kemi diskutuar nga fillimi që energjia në këtë zonë nuk duhet vetëm për banorët dhe flasim për 7 mijë abonentë që përfitojnë nga ky projekt. Këtu përfitojnë të gjithë njësitë turistike qofshin këto hoteleri, restorante, por edhe të gjitha njësitë e bujqësisë të ngritura në zonë”, nënvizoi Balluku.

Referuar sezonit turistik dhe furnizimit me energji elektrike, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se deri më tani situata ka qenë në normalitet të plotë, pa problematika, ndërkohë që edhe për javët në vijim, kur pritet të jetë edhe piku i sezonit turistik, janë marrë masat për të garantuar një shërbim sa më cilësor.

“Performanca gjatë kësaj vere ka qenë shumë e mirë. Akoma nuk kemi ardhur në pikun e sezonit, ndaj edhe ne jemi duke u përgatitur për korrikun dhe për gushtin, duke qenë se edhe të gjitha të dhënat që marrim nga njësitë turistike janë që do ketë një rritje me 20-30% të volumeve krahasuar me një vit më parë. Por ne jemi në pozita shumë më të mira se në 2024, që ka qenë një vit i mirë për përballimin e kërkesës me energji elektrike. Na duhet vëmendje e shtuar tek sistemi energjetik në këto momente qoftë linjat e transmetimit, qoftë edhe ato të shpërndarjes ku ndodhemi sot. Bashkëpunimi midis OST-së dhe OSSH-së është shumë i rëndësishëm”, tha Balluku.

Me fondet e OSSH, NST i Xarrës 110/20 kV ka një fuqi të instaluar prej 50 megavoltamperësh (MVA), duke zëvendësuar nënstacionin ekzistues të Livadhjasë, ndërtuar në vitin 1966.

Administratori i OSSH-së Blendian Dalipi tha se dalja nga një infrastrukturë e tejkaluar nga koha, drejt një rrjeti modern do të sjellë një 8-fishim të kapacitetit për zonën dhe do të rritë në mënyrë drastike sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.

 “Ky është një nënstacion parësor që do të furnizojë në të ardhmen gjithë zonën e Ksamilit. Do të realizojmë një lidhje unazore me linjat e ardhura nga nënstacioni i Sarandës, duke rritur kapacitetet e rrjetit dhe duke shmangur ndërprerjet,” tha Dalipi.

Nënstacioni i ri elektrik në zonën e Xarrës  do të ndikojë gjithashtu edhe në uljen e nivelit të humbjeve në rrjet.

Ndërtimi i nënstacionit të Xarrës është pjesë e një rrjeti të ri investimesh në jugun e Shqipërisë.

Në Vlorë, po ndërtohet nënstacioni i Akërnisë, i cili do të mbulojë me kapacitet të plotë zonat e Zvërnecit, Nartës dhe deri te Uji i Ftohtë e aeroporti i ri.

 Investimi do të shoqërohet me linja të reja për të përballuar ngarkesën dhe për të shmangur problemet me furnizimin.

Në zonën Orikum–Radhimë po finalizohen dy fidera të rinj, të cilët do të hyjnë në punë brenda këtij muaji, duke zëvendësuar linjat ajrore ekzistuese.

Në vijën bregdetare nga Palasa në Himarë, po realizohet kalimi i rrjetit nga linja ajrore në rrjet kabllor në pjesën më të madhe të zonës.

Ky investim pritet të përfundojë brenda qershorit, ndërsa fshatrat përreth do të përfshihen në fazat e ardhshme brenda kësaj vere.

Qendra e Himarës, Livadhe dhe Jala po kalojnë në rrjet tërësisht kabllor, ndërsa në fshatin Qeparo është përfunduar rrjeti i ri dhe janë instaluar linjat ABC, të cilat sigurojnë tension stabil dhe furnizim të pandërprerë.

Në Borsh, ku verën e kaluar u shfaqën vështirësi, punimet po përfundojnë përpara afatit, duke premtuar një situatë krejtësisht më të mirë për këtë sezon.

Po ashtu, ka nisur ndërtimi i nënstacionit të ri në Bunec, që do të rrisë ndjeshëm garancinë e furnizimit për Sarandën dhe Borshin në vitet në vijim.

Në Sarandë, janë rikonstruktuar dy fidera kryesorë për të mbuluar nevojat e përdoruesve ekzistues dhe atyre të rinj që kërkojnë lidhje me rrjetin.

Zona e Ksamilit, që më parë furnizohej nga vetëm një linjë 20 kV, do të përfitojë gjithashtu nga zgjerimi dhe shtimi i kapaciteteve të rrjetit, për të përballuar fluksin e turistëve dhe konsumatorëve sezonalë.