Nga 21 korriku nis aplikimi për Aktmarrëveshjet, OSHEE: Përfshihen detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023, ja kush përfiton

Nga 21 korriku nis aplikimi për Aktmarrëveshjet, OSHEE: Përfshihen detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023, ja kush përfiton

Duke nisur nga data 21 korrik 2025, Operator i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të zbatojë një skemë të re lehtësuese për abonentët debitorë, e cila synon të ndihmojë qytetarët dhe bizneset të shlyejnë detyrimet e prapambetura deri në 31 dhjetor të vitit 2023, përmes pagesës me këste dhe reduktimit të ndjeshëm të kamatëvonesave.

Në një intervistë të dhënë nër media, administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi, theksoi se kjo nismë ka për qëllim krijimin e kushteve të favorshme për ata që kanë borxhe të akumuluara deri më 31 dhjetor 2023.

Abonentët që përfitojnë nga ky program mund të kenë ulje të kamatëvonesave që variojnë nga 50 deri në 100 për qind, në varësi të marrëveshjes që lidhin me OSHEE.

Skema është e vlefshme për një gamë të gjerë abonentësh, përfshirë familjarët, pensionistët, shtresat në nevojë, dhe subjektet e biznesit, përfshirë edhe biznesin e vogël.

 Për të përfituar nga skemat e aktmarrëveshjeve, abonentët duhet të kenë shlyer detyrimet për vitin 2024 dhe për muajt e parë të vitit 2025.

Ata që kanë borxhe të reja gjatë kësaj periudhe duhet t’i shlyejnë ato para se të aplikojnë për aktmarrëveshjen.

“Qytetarët që janë në rregull me pagesat e viteve të fundit do të kenë mundësi të marrin më shumë lehtësi për borxhet e mëparshme,” shtoi Karakaçi.

Investimet në infrastrukturën energjitike

Përveç lehtësirave për qytetarët dhe bizneset, OSHEE është duke realizuar investime të mëdha në infrastrukturën energjetike, për të përballuar kërkesat e sezonit turistik, i cili është gjithmonë nën presion në periudhën e verës.

 Administratori Karakaçi njoftoi se aktualisht po bëhen investime të rëndësishme në zonat bregdetare dhe malore, duke përfshirë Himarën, Livadhin, Jalën, Dhërmiun, Ksamilin, Spillen dhe Velipojën.

Në zonat e Himarës dhe Livadhit, do të instalohen 12 kabina të reja elektrike, që do të kontribuojnë në përmirësimin e furnizimit me energji dhe eliminimin e problematikave të mundshme.

 Po ashtu, janë duke u realizuar linja kabllore nëntokësore në zonën e Dhërmiut dhe linja të reja kabllore në Ksamil, për të siguruar furnizim të pandërprerë me energji.

Në vitin 2025, OSHEE ka në plan një investim të rëndësishëm që do të shtrihet nga Boga deri në Lëpushë dhe Theth, me qëllim që të mbështesë zhvillimin e turizmit dhe të ofrojë një infrastrukturë energjetike më të qëndrueshme për zonat malore.