Intervista/ Hima: Nga rimëkëmbja te transformimi, OSHEE po ndërton rrjetin e sistemit të ri energjetik

Intervista/ Hima: Nga rimëkëmbja te transformimi, OSHEE po ndërton rrjetin e sistemit të ri energjetik

OSHEE Group po hyn në një fazë të re, ku pas konsolidimit financiar dhe uljes së humbjeve, prioriteti po zhvendoset te modernizimi i rrjetit të shpërndarjes dhe rritja e kapaciteteve për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për energji.

Pas një dekade të fokusuar në përmirësimin e performancës financiare, kompania e mbylli vitin 2025 me një fitim paraprak të konsoliduar prej rreth 86 milionë eurosh, ndërsa rezultatet e shtatë muajve të parë të vitit 2026 vijojnë të jenë mbi plan.

Kjo situatë i ka krijuar OSHEE-së hapësirë për të nisur një cikël të ri investimesh në nënstacione, linja dhe automatizimin e rrjetit, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare, ku rritja e konsumit dhe zhvillimi ekonomik po ushtrojnë presion të shtuar mbi infrastrukturën ekzistuese.

Në të njëjtën kohë, kompania po përshpejton transformimin teknologjik përmes zgjerimit të sistemeve SCADA, matjes inteligjente dhe përdorimit të të dhënave në kohë reale, me synimin për ta kthyer rrjetin e shpërndarjes në një smart grid më të automatizuar, të sigurt dhe fleksibël.

Në intervistën për “Monitor”, Administratori i OSHEE Group, Mentor Hima, flet për rezultatet financiare, programin e investimeve, sfidat e rritjes së konsumit dhe transformimin teknologjik të kompanisë, si dhe për mënyrën se si OSHEE synon të ndërtojë një rrjet të përshtatur me kërkesat e reja të sistemit energjetik.

Si do ta vlerësonit ecurinë e OSHEE Group në vitin 2025 dhe në kohën e deritanishme të vitit 2026? Cilët janë faktorët kryesorë, që kanë ndikuar në performancën financiare dhe operative të Grupit?

Rezultatet e reformës së nisur rreth një dekadë më parë po konsolidohen gjithnjë e më shumë, duke forcuar pozicionin financiar dhe operacional të OSHEE Group.

Dy nga shtyllat kryesore të kësaj performance kanë qenë reduktimi i humbjeve në rrjet dhe përmirësimi i arkëtimeve, të shoqëruara nga një disiplinim më i madh financiar dhe kontrolli më i kujdesshëm i shpenzimeve.

Në vitin 2025, rezultati financiar paraprak i konsoliduar i OSHEE Group ishte fitimi prej rreth 86 milionë eurosh, rreth 19 milionë euro mbi planin e rishikuar. Në këtë rezultat ndikuan ruajtja e nivelit të lartë të arkëtimeve, reduktimi i humbjeve, rritja e të ardhurave nga shitja e energjisë, si dhe ulja e shpenzimeve të energjisë dhe e provigjioneve.

Ecuria pozitive ka vijuar edhe në vitin 2026. Për periudhën janar–korrik, OSHEE Group realizoi një fitim të konsoliduar prej rreth 5.7 miliardë lekësh, rreth 1.2 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar. Të ardhurat e konsoliduara ishin rreth 370 milionë lekë mbi plan, ndërsa shpenzimet operative rreth 477 milionë lekë më të ulëta.

Edhe niveli i humbjeve në rrjet rezultoi më i mirë se plani.

Një element i rëndësishëm është fakti, se përmirësimi nuk është vetëm financiar. Ai po përkthehet në rritje të cilësisë së furnizimit, në investime më të mëdha në rrjet dhe në përmirësimin gradual të marrëdhënies me klientin.

Pra, ajo që kemi sot është një OSHEE më e konsoliduar financiarisht, por që po e përdor këtë përmirësim për të kaluar në një fazë të re: nga stabilizimi dhe rimëkëmbja drejt modernizimit dhe transformimit të rrjetit.

Në çfarë niveli ndodhen humbjet në rrjet dhe arkëtimet dhe sa hapësirë ka ende për përmirësim të mëtejshëm të këtyre treguesve?

Ecurinë e humbjeve do ta konsideroja një nga rezultatet më të rëndësishme të transformimit të OSHEE-së gjatë dekadës së fundit.

Por objektivi nuk është vetëm të kemi përmirësim të vazhdueshëm të treguesit; synimi është që humbjet të afrohen gradualisht me nivelet e vendeve të rajonit dhe më pas me standardet europiane.

Megjithëse për periudhën janar-gusht 2026, kemi një rritje me 10.1% të energjisë elektrike të injektuar në rrjetin e shpërndarjes ose rreth 550.000 megavat më shumë se viti 2025, humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vlerë relative kanë një ulje me 1.03%. ky tregues është në projeksionin e objektivit vjetor të 2026, me ulje të humbjeve me 1% më pak se viti 2025 ose 15.9% humbje në total.

Në të njëjtën periudhë, edhe performanca financiare e FSHU-së ishte më e suksesshme se parashikimi. Kjo merr rëndësi të veçantë, sepse performanca duhet të vlerësohet jo vetëm në raport me vitin e kaluar, por edhe kundrejt objektivave të vendosura.

Hapësira për përmirësim ekziston ende dhe ajo nuk lidhet vetëm me investimet fizike në rrjet. Në fazën e ardhshme do të kenë gjithnjë e më shumë rëndësi matja inteligjente, monitorimi në kohë reale, analizimi i të dhënave dhe automatizimi i proceseve.

Kjo do të na mundësojë të identifikojmë më shpejt humbjet, të reagojmë më mirë ndaj problematikave dhe të rrisim eficiencën e operimit.

Në këtë kuptim, humbjet dhe arkëtimet mbeten jo thjesht tregues financiarë, por indikatorë të drejtpërdrejtë të eficiencës së gjithë kompanisë.

Rritja e turizmit, ndërtimeve të reja dhe aktivitetit ekonomik po shton kërkesën për energji, veçanërisht në Tiranë dhe zonat bregdetare. A po ecën kapaciteti i rrjetit me të njëjtin ritëm me këtë rritje dhe cilat janë sot zonat ku nevojiten investimet më të mëdha?

Zhvillimi ekonomik, urban dhe turistik i vendit po krijon një kërkesë të re për infrastrukturën energjetike. Për OSHEE-në, sfida nuk është vetëm të furnizojë konsumin aktual, por të parashikojë se ku do të jetë kërkesa pas disa vitesh dhe të ndërtojë kapacitetin përpara se ajo të bëhet kufizim për zhvillimin.

Kjo është veçanërisht e dukshme në Tiranë dhe në zonat bregdetare, ku rritja e ndërtimeve, aktivitetit ekonomik dhe turizmit ka sjellë ngarkesa të reja. Në gusht, kërkesa për energji shënoi një tjetër rritje të konsiderueshme, rreth 22% në raport me gusht 2025.

Për këtë arsye, portofoli i investimeve të OSSH-së po orientohet drejt tre objektivave: rritjes së kapaciteteve, përmirësimit të sigurisë së furnizimit dhe përshtatjes së rrjetit me zhvillimin ekonomik të territorit.

Në këtë kuadër, janë përfunduar apo janë në zhvillim projekte të rëndësishme në Velipojë, Lezhë, Kuçovë, Pogradec dhe Tiranë, ndërsa në jug, investimet përfshijnë Akërnin, Piqerasin, Xarrën, Orikumin, Himarën, Sarandën dhe Ksamilin.

Në veri, linja 35 kV Koplik–Bogë dhe vijimi drejt Thethit do të krijojnë kapacitete të reja për zonat e Razmës, Bogës dhe Thethit.

Në total, janë 9 nënstacione pjesë e një investimi të rëndësishëm për modernizimin dhe automatizimin e operimit të rrjetit.

Këto investime nuk duhen parë si projekte të izoluara. Ato janë pjesë e një arkitekture më të gjerë, ku nënstacionet, linjat e tensionit të mesëm, kabinat dhe sistemet e kontrollit ndërveprojnë për të krijuar një rrjet më të sigurt dhe më fleksibël.

Pikërisht ky është ndryshimi që duam të sjellim në fazën e ardhshme: investimi nuk do të matet vetëm me kilometrat e rrjetit apo me numrin e nënstacioneve të ndërtuara, por me rezultatin që ai prodhon për sigurinë, kapacitetin dhe cilësinë e furnizimit.

Sa kanë avancuar investimet në modernizimin e rrjetit, veçanërisht në nënstacione, sistemet SCADA, matjen inteligjente dhe automatizimin? Cilat janë objektivat e OSHEE-së për digjitalizimin e mëtejshëm të rrjetit?

OSHEE Group ka hyrë tashmë në një fazë konkrete të transformimit të rrjetit drejt modelit smart grid. Një nga komponentët kryesorë është lidhja online e 9 nënstacioneve me Dispeçerinë Qendrore, duke mundësuar monitorimin dhe operimin në kohë reale.

Përmes SCADA-s, OSSH do të ketë mundësi të monitorojë më mirë gjendjen e rrjetit, të kryejë manovrime në distancë dhe të reagojë më shpejt ndaj avarive. Në fazat e mëtejshme, synimi është që ky operim online të shtrihet gradualisht në të gjitha nënstacionet.

Një tjetër komponent strategjik është matja inteligjente. Aktualisht janë instaluar rreth 8 mijë matës smart dhe është lidhur kontrata për vendosjen e 14 mijë pajisjeve të tjera inteligjente, me fondet tona.

Gjithashtu, po punohet me partnerë ndërkombëtarë për sigurimin e rreth 300 mijë matësve të tjerë. Procesi do të shtrihet gradualisht nga nënstacionet te kabinat dhe më pas te klientët.

Por vizioni ynë për digjitalizimin është më i gjerë se instalimi i pajisjeve. Synimi është që të krijojmë një rrjet të drejtuar nga të dhënat, ku informacioni në kohë reale të përdoret për vendimmarrje, mirëmbajtje parandaluese, reduktim humbjesh dhe përmirësim të cilësisë së furnizimit.

Transformimi është edhe në marrëdhënien me klientin. Shërbimet online, aplikacioni OSHEE Mobile, pagesat elektronike, aplikimet për lidhje të reja dhe verifikimi i detyrimeve janë pjesë e të njëjtit proces.

Pra, objektivi është që OSHEE të kalojë gradualisht nga një operator që reagon ndaj problematikave të rrjetit, në një operator që i parashikon dhe i menaxhon ato në mënyrë inteligjente.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e reja të sektorit energjetik, ku fleksibiliteti, reagimi ndaj kërkesës, integrimi i burimeve të reja dhe menaxhimi i të dhënave do të marrin një rol gjithnjë e më të madh.

Tashmë liberalizimi u finalizua me fazën e fundit në fillim të këtij viti. Çfarë përfaqëson kjo reformë, e shtrirë në disa vite, dhe çfarë ka treguar dalja graduale e bizneseve në tregun e lirë për nivelin e konkurrencës dhe funksionimin e tregut?

Përmbyllja e liberalizimit të konsumatorëve jofamiljarë të lidhur në rrjetin e shpërndarjes në tension të mesëm, me përfshirjen e konsumatorëve të fundit në nivelin 6 kV në fillim të vitit 2026, shënon një etapë të rëndësishme të reformës së sektorit.

Por, sipas këndvështrimit tonë, përfundimi i fazës së liberalizimit nuk duhet të konsiderohet fundi i procesit. Ai është fillimi i një faze të re, ku duhet të vlerësojmë se sa efektivisht po funksionon konkurrenca dhe çfarë përfitimi po krijon për konsumatorin.

Dalja graduale e bizneseve në tregun e lirë ka krijuar kohën e nevojshme që furnizuesit të ndërtojnë kapacitetet e tyre tregtare dhe operacionale dhe që konsumatorët të fitojnë përvojë në krahasimin e ofertave, negocimin e kushteve dhe menaxhimin e riskut të çmimit.

Në vijim, konkurrenca nuk duhet të matet vetëm me numrin e furnizuesve. Ajo duhet të matet me alternativat reale që kanë konsumatorët, cilësinë dhe transparencën e ofertave, fleksibilitetin e kontratave, sigurinë e furnizimit dhe aftësinë e furnizuesve për të menaxhuar kostot dhe ekspozimin ndaj tregut.

Për OSHEE-në, kjo do të thotë se duhet të vazhdojmë të garantojmë një rrjet të besueshëm, transparent dhe jodiskriminues, i cili u krijon të gjithë pjesëmarrësve kushtet e nevojshme për të operuar në treg.

Në fund të fundit, suksesi i liberalizimit nuk është vetëm që klienti të dalë në tregun e lirë; suksesi është që ai të ketë realisht mundësi zgjedhjeje dhe të përfitojë nga konkurrenca.

Si paraqitet aktualisht pozicioni financiar i OSHEE Group dhe cilat janë rreziqet apo sfidat kryesore për vitet e ardhshme: luhatjet e çmimeve të energjisë, detyrimet e ndërsjella në sektor, nevojat për investime apo faktorë të tjerë?

Pozicioni financiar i OSHEE Group është përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme, por ne jemi të kujdesshëm në vlerësimin e kësaj performance. Përmirësimi i rezultatit financiar është i rëndësishëm, por duhet të shoqërohet me forcimin e kapitalit, menaxhimin e detyrimeve dhe krijimin e kapacitetit të qëndrueshëm për investime.

Kapitali i shoqërisë është përmirësuar ndjeshëm që nga fillimi i aktivitetit të saj dhe objektivi ynë është që në fund të vitit 2027, kapitali aksioner i OSHEE Group të jetë pozitiv. Ndërkohë, OSSH dhe FTL kanë tashmë kapital pozitiv.

Një faktor i rëndësishëm ka qenë edhe stabilizimi i ekspozimit ndaj luhatjeve të jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë, ndërsa paralelisht po vijon puna për uljen e detyrimeve të prapambetura dhe të ndërsjella në sektor, në përputhje me marrëveshjet e përcaktuara me KESH dhe OST.

Sfida kryesore është të ruajmë ekuilibrin midis tre objektivave: qëndrueshmërisë financiare, nevojës për investime dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit.

Nevojat për investime janë më të mëdha se kapacitetet që kemi pasur historikisht. Prandaj, përmirësimi financiar duhet të shërbejë si bazë për të rritur kapacitetin investues dhe investimet duhet të kenë prioritete të mirëpërcaktuara dhe të lidhen me rezultate konkrete.

Në këtë drejtim, edhe financimi ndërkombëtar apo bashkëpunimi me partnerë, si BERZH,  KfW dhe AFD, kanë rol të rëndësishëm në projektet strategjike të modernizimit të rrjetit.

Cilat janë prioritetet kryesore të OSHEE Group për 3-5 vitet e ardhshme dhe ku do të përqendrohet pjesa më e madhe e investimeve?

Në tre deri në pesë vitet e ardhshme, OSHEE Group do të fokusohet në një objektiv të qartë: të konsolidojë përmirësimin financiar dhe ta shndërrojë atë në një rritje të qëndrueshme të cilësisë, sigurisë dhe kapacitetit të rrjetit të shpërndarjes.

Këtë e shohim në disa drejtime të ndërlidhura.

Së pari, reduktimi i mëtejshëm i humbjeve dhe përmirësimi i arkëtimeve. Këta mbeten tregues themelorë të eficiencës së Grupit dhe krijojnë bazën financiare për investimet e ardhshme.

Së dyti, rritja e kapacitetit dhe sigurisë së rrjetit. Investimet do të përqendrohen në nënstacione, linja të tensionit të mesëm, kabina dhe rrjetin në zonat ku kërkesa po rritet më shpejt, veçanërisht në Tiranë, zonat bregdetare dhe qendrat me zhvillim të lartë ekonomik e turistik.

Së treti, përmirësimi i cilësisë së furnizimit, me fokus te reduktimi i numrit dhe kohëzgjatjes së ndërprerjeve dhe përmirësimi i treguesve SAIDI dhe SAIFI.

Së katërti, digjitalizimi dhe smart grid: zgjerimi i SCADA-s, operimi në distancë, automatizimi, matësit inteligjentë dhe përdorimi më i mirë i të dhënave.

Dhe, së pesti, prioritet transversal do të jetë përmirësimi i përvojës së klientit, duke reduktuar burokracinë dhe duke zgjeruar shërbimet digjitale.

Në fakt, ky është vizioni që kemi për OSHEE-në në fazën e ardhshme: jo thjesht një kompani që administron një rrjet ekzistues, por një operator modern i infrastrukturës energjetike, i aftë të përshtatet me rritjen e kërkesës, me zhvillimin e burimeve të reja të energjisë, me digjitalizimin dhe me kërkesat e një tregu energjetik gjithnjë e më të integruar.

Kjo është edhe arsyeja pse investimet nuk do të vlerësohen vetëm me numrin e projekteve të përfunduara, por me përmirësimin real të kapaciteteve, të sigurisë, eficiencës dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.