Në kuadër të projektit të mbështetur nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), që synon modernizimin dhe transformimin digjital të OSHEE Group dhe shoqërive të saj, OSSH dhe FSHU, ka nisur cikli i workshop-eve të dedikuara zhvillimit të sistemeve inteligjente të matjes dhe përmirësimit të proceseve organizative.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Administratori i OSHEE Group, z. Mentor Hima, nënvizoi rëndësinë e veçantë strategjike të këtij projekti për të ardhmen e Grupit dhe të shoqërive të tij.
Ai theksoi se sektori energjetik shqiptar ka bërë hapa të rëndësishëm drejt përafrimit të kuadrit ligjor dhe rregullator me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndërsa puna vijon për thellimin e këtij procesi dhe përmbushjen e objektivave të modernizimit të sektorit.
Në këtë kontekst, z. Hima u bëri thirrje të gjithë punonjësve dhe strukturave të përfshira për angazhim maksimal, bashkëpunim të ngushtë dhe një qasje proaktive, duke theksuar se rëndësia e veçantë e projektit kërkon përgjegjësi, përkushtim dhe kontribut konkret nga secili.
Ky projekt përfaqëson një mundësi të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve institucionale, modernizimin e proceseve të punës dhe përshpejtimin e transformimit digjital, në funksion të një sistemi energjetik më efikas, inteligjent dhe të përafruar me standardet evropiane.
